Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën ‘Eduard Lir’ në Prishtinë, ku një grua dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se sot në mëngjes kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person kishte kërcyer nga një lartësi e ndërtesës dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.

Ekipi mjekësor i emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës. Pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore të cilët kanë intervistuar një dëshmitar të rastit. Familjari i të ndjerës ka deklaruar se derisa ka qenë në banesën e tij, ka dëgjuar një britmë dhe me të dalë jashtë të shohë së çfarë po ndodhë ka parë viktimën të shtrirë në tokë. Sipas tij, e ndjera tash e një kohë ishte në gjendje të rëndë emocionale.

Sinjali mëson se viktima është një grua 58-vjeçare.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim mbi vdekjen’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.