Fillon subvencionimi për kredi konsumuese

Ekonomia October 01, 2021 – 14:43

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka marrë sot vendim për të subvencionuar kreditë konsumuese.

Sipas Muratit, qytetarët që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10 mijë euro, nga data 1 tetor e tutje mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë.

“Shuma e subvencionimit për secilin aplikues që kualifikohet është 10% e shumës totale të kredisë, deri në maksimumin prej 300 eurove. Të interesuarit për përfitim nga kjo masë fillimisht duhet të marrin kredinë në ndonjërën nga institucionet financiare të licencuara në Kosovë, e pastaj të plotësojnë formularin për aplikim (i cili do të publikohet ditët në vijim). Pas konfirmimit të saktësisë së aplikacionit, subvencioni paguhet në llogarinë bankare të kredimarrësit. Operacionalizimi i kësaj mase synon mbështetjen e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, ose edhe mbylljen e bilanceve të kartelave kreditore, ose çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes”, thuhet në njoftimin për media.

Në këtë njoftim, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka thënë se mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e masave që kanë për synim mbështetjen e familjes dhe ngritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët. /Zëri