Më 22 gusht të këtij viti, në një banesë në Ferizaj, u gjet trupi i pajetë i Marigona Osmanit. Ky rast bëri bujë të madhe, pasi dyshohej që Marigona është vrarë nga bashkëshorti i saj dhe një person tjetër.

Trupin e pajetë të saj, në Emergjencën e Ferizajt, e dërguan dy të dyshuarit, të cilët tani ndodhen në paraburgim. Ndërkaq, sot Prokuroria në Ferizaj ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Pas pranimit të autopsisë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Sinjali ka kontaktuar me babain e Marigonës, Muhabi Osmani.

Ai ka thënë që nga avokati janë njoftuar se Prokuroria e ka pranuar autopsinë e Marigonës, mirëpo nuk kanë marrë detaje nga ai raport.

“Jemi njoftuar që Prokuroria në Ferizaj e ka pranuar autopsinë e Marigonës. Avokati na ka lajmëru, nuk e dimë rezultatin, nuk dimë tjera detaje”, ka thënë ai.

E njëjtë ka thënë edhe avokati i familjes së Marigonës, Gazmend Rexhepi. Ai ka thënë që për detajet e autopsisë nuk janë njoftuar nga Prokuroria dhe janë pajtuar që të mos i bëjnë publike.

“Na ka njoftuar Prokuroria që e kanë pranu autopsinë. Jena pajtu që autopsia mos me u bo publike, mirëpo parimisht nuk na kanë dorëzu neve. Edhe familja e të dëmtuarës është pajtu me këtë”.

Gjithashtu, Rexhepi ka thënë që ende dy të dyshuarit nuk janë marrë në pyetje nga prokurori, gjë që pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.

“Prokuroria na ka thënë që javën tjetër do të intervistohen dy të dyshuarit, sepse janë edhe disa persona tjerë që do të intervistohen në lidhje me rastin”, ka thënë ai.

Nëse autopsia do t’i konfirmojë akuzat e palës së dëmtuar, Rexhepi ka thënë që ajo do të ndodhë, pasi njëri nga të dyshuarit veçse e ka pranuar dhunën që Dardan Krivaqa ka ushtruar ndaj Marigonës.

“I dyshuari i dytë veçse i ka pranuar të gjitha veprimet e të dyshuarit të parë, ish-bashkëshortit të Mairgonës (Dardan Krivaqa), dmth që Marigona ka vdekë si pasojë e dhunës”, ka thënë Rexhepi.

Sot, Prokuroria e Ferizajt, ka pranuar autopsinë e trupit të së ndjerës nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Ferizaj, Vjosa Baftiu.

“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në rastin e M.O.”, ka thënë Baftiu, duke mos dhënë tjera detaje.

I arrestuari i parë, Arbër Sejdiu, u arrestua një ditë pas ngjarjes, ndërsa Dardan Krivaqa u arrestua nga policia pas dy ditëve.