Fondet e MCC-së, Kosova do t’i fokusojë në akumulim të energjisë e forcim të rrjetit energjetik

Ekonomia September 30, 2021 – 19:12

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të vazhdojë tutje me projektin amerikan të gazsjellësit.

Gjatë një konference të sotme për media, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se deri te refuzimi i këtij projekti erdhi pasi Kosova kërkoi informata shtesë, por që MCC-ja ka afate kohore strikte.

Ndërkaq, përmes një komunikate për media nga po kjo Ministri, u tha se kryeministri Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë zhvilluar diskutime me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC); Drejtoreshën Menaxhuese për Evropë, Azi, Shtetet Pacifike dhe Amerikën Latine, Caroline Nguyen, dhe Drejtoreshën për Kosovë, Sarah Olmstead, ku pas refuzimit të projektit të gazit, “Qeveria e Kosovës ka vendosur që të përdorë programin kompakt për investime në projekte që kanë më shumë siguri por që gjithashtu kontribuojnë në mënyrë domethënëse drejt tranzicionit energjetik të Kosovës”.

“Pas diskutimeve, qeveria kosovare dhe ekipi i MCC-së kanë nënshkruar një Aide Memoire (Memorandum Ndihme), për të hapur rrugën drejt implementimit të programit dhe partneritetit në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Kosovarët. Së bashku, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës janë duke punuar drejt një peizazhi energjetik që mundëson zhvillimin e bizneseve dhe një tranzicion të drejtë energjetik për Kosovën. Aide Memoire i nënshkruar nga Ministrja Rizvanolli dhe Drejtoresha Nguyen ka për qëllim të thellojë zhvillimin e programit të kompaktit të propozuar mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së. Kjo vjen si vazhdimësi e punës së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së për të identifikuar dhe zhvilluar investimet infrastrukturore që do të ndihmojnë Kosovën të arrijë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.

Përderisa Ministria e Ekonomisë thotë se ka filluar punën në draftimin e Tranzicionit të Energjisë të Kosovës, theksohet se një barrierë kyçe për zhvillimin e sektorit privat dhe për krijimin e vendeve të punës në Kosovë “mbetet paqëndrueshmëria e sektorit të energjisë që krijon kosto të larta për firmat – deri në €350 për vit”.

“Për të adresuar këtë pengesë ekonomike, Qeveria e Kosovës së bashku me MCC, kanë

identifikuar një hapësirë për investime potenciale të kompaktit të përfshira në Aide Memoire të cilat fokusohen në akumulim të energjisë, forcimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe zhvillimin e fuqisë punëtore me përfshirje gjinore dhe ngritje të kapaciteteve”, u tha në njoftimin e MF-së. /Zëri