Plumba janë shkrepur në Zveçan, derisa Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po largohej prej aty, ku shkuan në kuadër të aksionit kundër kontrabandës.

Rruga pranë “Komova kafana” është e bllokuar, ndërsa raportohet se Policia e Kosovës u largua prej aty në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar.

Tymi është parë në drejtim të një pompe pranë një ure. Radio Kontakt Plus ka publikuar një fotografi ku shihen predha të municionit në rrugë.

Pasi përfunduan punë në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, Policia e Kosovës i tërhoqi autoblindat nga Mitrovica e veriut për ta vazhduar aksionin kundër kontrabandës në Zubin Potok dhe Zveçan.

Qytetarë serbë, ashtu si në Mitrovicën e veriut, janë mbledhur në qendër të Zubin Potokut.

Më herët, automjete të blinduara të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës hynë në pjesën veriore të Mitrovicës. Qytetarët e mbledhur serbë hodhën gurë, ndërsa Policia u kundërpërgjigj me bombola gazi.