Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë kundërshtuar aksionin policor.

Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.

Banorët lokalë në Zveçan kanë vendosur në rrugë një kamion, për të bllokuar rrugën, teksa Policia e Kosovës po zhvillon një operacion kundër kontrabandës së mallrave.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.

Në Mitrovicë të Veriut turmat pothuajse janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë po vazhdon edhe në Zveçan.

Në këtë komunë Policia ka reaguar me gaz lotsjellës pasi qytetarët në Zveçan hodhën në drejtim të forcave të rendit gjësende të forta.

Ky aksion, që ende po vazhdon është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës, tha Policia përmes një njoftimi për media.

Sipas autoriteteve të rendit, aksioni nisi në orët e hershme të 13 tetorit dhe po vazhdon vendi dhe deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë.

Policia e Kosovës ka shpërndarë disa fotografi ku shihet malli që është sekuestruar gjatë operacionit policor, që po vazhdon.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.