Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka siguruar se eksperienca e tij në stolin e skuadrës angleze do të gjykohet në bazë të rezultateve në Champions League. Që nga mbërritja e tij në vitin 2016, Guardiolës nuk i ka munguar takimi me çerekfinalet e këtij kompeticioni elitar të klubeve europiane nga sezoni i tij i parë, kur Monaco e eliminoi në 1/8 finale.
Që atëherë. “qytetarët” kanë grumbulluar pesë paraqitje radhazi në çerekfinale dhe këtë të martë mund të shtojnë edhe një tjetër, nëse mposhtin RB Leipzig. “Po”, – u përgjigj Guardiola kur u pyet nëse periudha e tij në Manchester do të gjykohet nga sukseset e tij në Ligën e Kampionëve, ku maja e trajnerit katalanas është finalja e vitit 2021, e humbur ndaj Chelsea, dhe gjysmëfinalet e vitit të kaluar, kur Real Madridi i eliminoi gjigantët e “Etihad”.
“Nuk dua të them se jam dakord me këtë gjë, por jam i sigurt se do të gjykohem nga rezultatet në Champions”, – shtoi trajneri spanjoll, i cili me Manchester City ka fituar më shumë se një duzinë titujsh, përfshirë katër nga pesë titujt e fundit të Premier League.
Këtë sezon, Manchester City është ende “gjallë” në Premier League, me 5 pikë prapa Arsenalit kryesues; në “FA Cup”, ku është kualifikuar në çerekfinale dhe në Champions League.
“Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë në këto gara, sepse na lejojnë të mbetemi konkurrues në dy muajt e fundit të sezonit. Do të vazhdojmë përpjekjet për t’u afruar me Arsenalin, për të vazhduar edhe në Evropë… Kjo do të ishte shumë e mirë”, – potencoi Guardiola.