Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Kjo është konfirmuar në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën Speciale nga avokati i tij, Jonathan Rees.

Ai tha se Gucati është me ilaçe për shkak të gjendjes jo të mirë fizike.

Avokati konfirmoi se Gucati sot do të vizitohet nga mjeku dhe të marrë diagnozën për problemin që ka.

“Sikurse e shikoni z.Gucati nuk është i pranishëm. Në fillim të seancës sot me është vënë në vëmendje gjendja e tij. Ai nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ka marrë ilaçe kundër dhimbjeve mbrëmë. Ka një takim me mjekun në orën 18:00 sot. U përpoq që të qëndronte në sallë gjatë vazhdimit të procedurës, por dhimbjet vazhdojnë. Nuk është në gjendje të mirë fizike për të qenë i pranishëm. Nuk ka një diagnozë mjekësore por besoj që do të kemi sonte dhe do t’i jap udhëzime se si do të vazhdojmë”, ka thënë ai.

Avokati tha se si pasojë e gjendjes së tij, Gucati ka vendosur që sot të mos jetë i pranishëm në seancën gjyqësore.

“Për shkak të gjendjes së tij, ai në mënyrë jo vullnetare heq të drejtën e vet për të qenë i pranishëm në seancën e sotme”, ka thënë Rees.

Në ndërkohë gjykatësi tha se do të mundësojnë që Gucati ta ndjek seancën nga lart.

“Nuk kemi probleme nëse ai nuk është i pranishëm në sallë, por thjeshtë duam që të ketë mundësin që që t’i ndjek procedurat nga lartë dhe do të bëjmë përgatitjet e nevojshme. Në këtë drejtim nuk e marrim këtë në asnjë mënyrë ndryshe sepse e dimë që ai i ndjek procedurat rregullisht”, ka thënë ai.