Duke u intervistuar nga mbrojtja, Nasim Haradinaj ka deklaruar se në dokumentet e Gjykatës Speciale ka parë dokumente të përkthyera si “Kosova Metohija”.

Ai tha se nëse Gjykata është e Kosovës dhe e themeluar nga institucionet vendore, kjo gjuhë nuk duhej të lejohej.

“Unë jam arrestuar padrejtësisht pra pasi Gjykata s’ka pasur mandat. Kam parë në dokumentet e Speciales të përkthyer ‘Kosova Metohija’. Nëse kjo është gjykatë e Kosovës, ajo fjalë s’duhet të jetë hiç”, deklaroi ai.

Haradinaj po ashtu ka deklaruar se janë pro zbulimit të të gjithave krimeve, mirëpo jo të selektohen ato “sepse në Kosovë ka edhe serbë që kanë jetuar, ka romë, boshnjakë, turq e shumë nacionalitete”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes, Haradinaj potencoi se prokuroria është duke e sulmuar Kosovën përmes UÇK-së.

Ai tha se Specialja është monoetnike dhe se ZPS-së qëllimshëm e ka provokuar Organizatën e Veteranëve të Luftës.

“Mua nuk më brengos fati personal, as i imi, as i kurrkujt nëse individualisht përgjigjem për diçka dhe duhet të përgjigjem nëse e kam bërë, por jo me këtë të na sulmoni diku më keq që pastaj me u bë pishman edhe bota pse na paska ndihmuar. Këtu është esenca për çka unë është dashur të jem transparent dhe ka qenë në interes të shërbimit publik, kjo është esenca jonë e kundërshtisë, që është monoetnike, selektive dhe arbitrare, dhe vazhdimisht ka krijuar precedent që ne të reagojmë, sikur të kemi dashur ta bëjmë me qëllim, sikur kur kemi pushuar ne pas thirrjeve, këta nisën precedentin tjetër, në njëfarë mënyre na kanë provokuar qëllimisht dhe ne nuk kemi mundur me qëndruar aty si naiv”, ka thënë ai.