Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk duhet prekur pagat e sistemit të drejtësisë, dhe se Qeveria ka vepruar jashtëligjshëm sot duke e shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave në këtë sektor.

Ai ka thënë se deri në hyrje në fuqi të ligjit të pagave, duhet të rriten pagat së paku sa normale e inflacionit.

“Në kohë krize, me inflacionin më të lartë në 30 vjet, pagat duhet të rriten e jo të ulen. Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor. Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020, kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë. Këta vendim që sot e kanë marrë, e dinë mirë se është joligjor. Deri në miratimin e ligjit të pagave, duhet të rriten pagat së paku sa norma e inflacionit për arsim, shëndetësi, administratë, polici e FSK dhe sektorë të tjerë që janë me paga të ulëta”, ka shkruar Hoti në Facebook.