Erik ten Hag mund të konsiderohet tashmë ish-trajneri i Ajax-it. Pasi e ka mbyllur sezonin duke fituar Eredivisie për herën e tretë, tekniku i ardhshëm i Manchester United ka ripërshkuar eksperiencën e tij tek Ajax-i në konferencë për shtyp.

Nga të gjitha sezonet e kaluara në Holandë, ajo që ka mbetur e gdhendur në mendjen e të gjithëve është ai 2018/19, kur Ajax-i i tij ka shkuar një hap larg finales së Champions League, i eliminuar nga Tottenham-i i Pochettino-s.

Kujtimi i atij sezoni është i ëmbël për Ten Hag, mbi të gjitha për sa i takon 1/8-ave dhe çerekfinaleve, ku holandezët kanë eliminuar respektivisht Real Madrid-in kampion në fuqi dhe Juventus-in e Allegri-t dhe Cristiano Ronaldo-s: “Kundër Real Madrid dhe Juventus kemi luajtur futbollin më të mirë gjatë kohës time në drejtim të ekipit”.

Një Ajax i talentuar, i ri dhe teknik, ai i drejtuar nga Ten Hag në sezonin 2018/19. Bota e futbollit e kuptoi në kthimin e 1/8-ave, kur holandezët fituan 4-1 në Bernabeu, duke eliminuar Real Madrid, në atë kohë i drejtuar nga Solari, fitues i tre edicioneve të mëparshme.

Tadic, de Jong, Neres, Schone, Van de Beek (që Ten Hag do ta gjejë në Manchester), të udhëhequr nga kapiteni De Ligt, që në atë kohë nuk i kishte mbushur akoma 20 vjeç. Në çerekfinale janë vënë përballë Juventus-it të Allegri-t dhe Cristiano Ronaldo-s, e nisur për të fituar Champions-in.

Edhe në atë rast, ka qenë Ajax-i që ka dalë fitimtar, falë një goditje me kokë pikërisht të De Ligt, i cili ka nënshkruar për bardhezinjtë pak muaj më mbrapa.

E ardhmja, për Ten Hag, mban emrin e Manchester United. Trajneri ka për detyrë të rimëkëmbë klubin anglez pas një sezoni shumë zhgënjyes, me Djajtë e Kuq që nuk kanë arritur të kualifikohen as në Champions.

Trajneri holandez do të duhet të ringjallë një ambient ku Premier League mungon nga 2013-ta, viti i fundit i Ferguson, dhe një trofe nga 2016-ta, kur Mourinho fitoi Europa League, Community Shield dhe FA Cup.