Erling Haaland do të luajë me Manchester City-n sezonin e ardhshëm. Anglezët kanë lajmëruar arritjen e marrëveshjes me Borussia Dortmund këtë të martë.

Konkurrenti kryesor i Manchester City në garën për të siguruar shërbimet e sulmuesit norvegjezishte Real Madrid, por spanjollët kanë vendosur të mos bëjnë asnjë ofertë.

Arsyeja kryesore për këtë, sipas Marca-s, ka qenë Kylian Mbappe. Sulmuesi i Paris Saint-Germain ka qenë objektivi numër një i Los Blancos që nga 2017-ta.

Arsyeja e dytë ka qenë kontrata e kampionit të botës që skadon këtë verë dhe spanjollët kanë mundësinë të marrin me kosto zero një lojtar me vlerë 150 milionë euro.

Për shkak të kësaj, plani financiar i Los Blancos është përqendruar te francezi dhe jo te norvegjezi. Arsyeja tjetër që ka shtyrë madrilenët të heqin dorë nga Erling ka qenë shpërthimi i Karim Benzema në këtë sezon, me francezin që tani konsiderohet qendërsulmuesi më i mirë në botë.

E katërta dhe e fundit, investimi për Haaland do të kishte qenë shumë i madh. Real Madrid është në një situatë shumë të mirë financiare, por një shpenzim kaq i rëndësishëm për një lojtar që ka patur probleme me dëmtimet (ka munguar tre muaj në këtë sezon) nuk mund të bëhej.