Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar se gjatë ditëve në vijim pritet të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Buzhala ka deklaruar se KEDS-i ia ka bërë kërkesën Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE-së) për rritje të çmimit në bazë të shpenzimeve që janë bërë.

Ai ka thënë se rritja do të jetë 30 deri në 40 përqind.

“Gjatë këtyre ditëve presim ZRRE-ja të marrë vendimin nga aplikimi që kemi bërë për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor. Presim të ketë rritje të çmimit, pasi kemi bërë kërkesën bazuar në formulë. Në bazë të shpenzimeve që i kemi pasur e kemi bërë atë kërkesë. E presim të ketë refleksion. Duhet ta cekim se do të ketë edhe një shqyrtim të rregullt pastaj në pranverë. Për tarifat që hyjnë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti e deri më 31 mars të vitit vijues. Është proces i rregullt, pritet sërish të ketë rritje. Por, ne nuk jemi autoriteti që vendos është ZRRE-ja. Fatkeqësisht do të jetë rritje relativisht e lartë. Do të jetë rritje 30 deri 40 për qind në bazë të vlerësimeve që i bëjmë, për të dy herët them. Por ende nuk kemi as shqyrtimin e jashtëzakonshëm e pastaj duhet bërë kërkesë edhe për shqyrtimin e rregullt”, ka deklaruar Buzhala në KTV.

Ndryshe, konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.