Dhjetëra mijëra euro janë dëmet bujqësore që kanë shkaktuar shiu dhe breshëri nëpër zona të ndryshme të Podujevës, shkruan .

Fshtrat; Lupç i Poshtëm, Lupç i Epërm, Majac, Lluzhan – janë më të prekurat nga stuhia që përfshiu Podujevën pasditen e së martës.

Fermerët e prekur nga kjo stuhi kanë kërkuar ndihmë nga organet në nivelin lokal dhe qendror, pasi që siç kanë thënë ata, dëmet janë të mëdha.

“Breshri mbrëmë, këtu si fermer që jam, vetë mua më ka bërë dëm rreth 25 mijë euro. Kemi pasur spinaq, speca, brokoli, qepë të re, domate etj. Në këtë fshat në Lupç të Podujevës, lagjja Hoxha, kultivojnë 16 familje. Dëmet janë deri në Majac”, ka thënë një fermer për Kanal10.

Një tjetër banor i këtij fshati ka rrëfyer për intensitetin e shiut dhe breshrit që përfshiu këtë lokacion, ku thotë se këso të reshura, sipas tij, nuk mbahen në mend.

“Tash i bëj 77 vjet, shiu dhe breshëri që ka rënë dje – nuk ka rënë deri tash. Çka ka gjet në tokë krejt i ka shkatërruar. Ka vende-vende që edhe qeremidet i ka prish. Na kishim dashtë një ndihmë prej Komunës dhe Ministrisë, në mënyrë që të fillojmë prapë”, ka thënë një tjetër fermer./