Komuna e Podujevës i ka reaguar tashmë të shkarkuarit nga pozita e drejtorit të Inspektoratit, Besnik Mulliqit, pas akuzave të këtij të fundit se është liruar nga pozita pas rrënimeve pa leje në fshatin Orllan, shkruan në .

Komuna thotë se vendimi për shkarkim është marrë ditë më parë, derisa citohet se Mulliqi ka lejuar ndërtime pa leje në zonën rreth liqenit të Batllavës.

Reagimi i plotë:

Sqarim për opinioin publik në lidhje me lirimin nga detyra të Drejtorit të Inspeksionit

Duam të sqarojmë opinionin publik lidhur me lirimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Besnik Mulliqi në Komunën e Podujevës, se njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës së drejtorisë duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës.

Mbi këtë bazë janë ndërmarrë edhe masa ndaj zyrtarëve komunal të inspeksionit për mos kryerje të detyrave zyrtare në ndalimin e ndërtimeve pa leje dhe ruajtjen e mjedisit në zonën e Orllanit.

Njoftimi për lirimin nga detyra të drejtorit Mulliqi është bërë që nga data 20 e muajit të kaluar ndërsa lirimi i tij zyrtar nga detyra është bërë me datën 29.07.2022, dhe nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan, siç po deklarohet para opinionit dhe mediave.

Përkundrazi nga reformimet të cilat janë bërë ditë me parë në këtë drejtori vërehen veprimet e para sot në terren.

Ditëve në vijim do të kërkohen sqarime shtesë për të gjitha rastet e ndërtimeve pa leje dhe bazën ligjore për veprimet e mëtutjeshme duke siguruar vendosjen e ligjshmërisë dhe ruajtjen e natyrës në Zonën e Orllanit.

02.08.2022, Podujevë

Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim