Komuna e Prishtinës përmes një reagimi publik thotë se të gjitha rrugët e kryeqytetit janë të qarkullueshme për trafik.

Siç njofton Komuna e Prishtinës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve të qytetit kanë kontraktuar 7 kompani.

“Komuna e Prishtinës ju njofton se për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve të qytetit i kemi të kontraktuara 7 kompani, të cilat janë të angazhuara në 7 loto ku përfshihen rrugët e qytetit dhe rrugët periferike, kurse për rrugët rurale janë të angazhuara 4 kompani në 4 loto. Kontratat janë nënshkruar me kohë dhe kanë filluar të zbatohen me datë 29 nëntor 2021. Menjëherë mbas nënshkrimit të kontratave i është dhënë urdhër të gjitha kompanive të bëjnë furnizimin me kripë dhe rërë ashtu siç i kanë të parapara me kontratë, me qëllim që për sezonin dimëror dhe në veçanti kur kemi reshje bore dhe kohë me ngrica”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se, reshjet e borës kanë filluar në natën e të hënës dhe nga koha e fillimit të reshjeve të gjitha kompanitë i kanë pasur në teren me makinerinë e nevojshme.

“Po ashtu në mëngjesin e të hënës të gjitha rrugët i kemi pasur me të qarkullueshme. Mandej, dje ditë e hënë prapë kanë filluar reshjet e borës në orët e pasdites rreth orës 15:00, dhe kanë vazhduar deri në mes të natës. Kompanitë ashtu siç kanë qenë në punë gjatë ditës kanë vazhduar punën në teren pa ndërprerë, ku kanë qenë 27 automjete të borës të cilat largojnë borën dhe hedhin përzierjen e kripës dhe rërës.

Mirëpo, deri sa janë ndërprerë reshjet e borës, kemi pasur vështirësi në pastrimin e rrugëve pasi që reshjet janë përcjellë edhe me temperatura të ulta, për shkak se puna është bërë por prapë rrugët janë mbuluar nga bora. Pas ndërprerjes së reshjeve, kompanitë kanë vazhduar punën me intensitet dhe në mëngjes rrugët i kemi pasur të gatshme për qarkullim”, vijon reagimi.

Më tej, në njoftim thuhet se edhe sot kompanitë kanë vazhduar me intervenime.

“Edhe sot gjatë ditës puna nga kompanitë nuk është ndalur me intervenime në rrugët dytësore dhe periferike të qytetit, ku të gjitha janë inspektuar nga zyrtarët menaxherë të komunës gjegjësisht nga Drejtoria për Shërbime Publike. Tani në momentin kur po deklarojmë, rrugët janë të qarkullueshme për trafik. Vlen të theksohet se puna e kompanive në terren gjatë tërë kohës është mbikëqyr dhe është koordinuar nga zyrtarët e drejtorisë”, thuhet në komunikatë.

Komuna e Prishtinës thekson tutje se gjendja e rrugëve në përgjithësi është stabile dhe lehtë e qarkullueshme.

“Por duhet të cekim edhe një fakt: dihet se gjatë dimrit ngasësit duhet të jenë të përgatitur me goma dimri e jo krejt fajin ta gjuajnë te organet, mbasi edhe ngasja e veturave duhet të bëhet në kushte dimri me kujdes të shtuar dhe të përgatitur.

Edhe në rrugët rurale kanë punuar të katër kompanitë e kontraktuara pa ndërprerje dhe është arritur në kushte normale që gjendja e rrugëve të jetë e mirë dhe e qarkullueshme. Në rrugët rurale ka patur më shumë borë dhe erëra të cilat krijojnë pengesa (orteqe të vogla) në rrugë. Puna nga të gjitha kompanitë është duke vazhduar në terren për intervenime varësisht nga nevojat dhe kërkesat”, thuhet në njoftimin e komunës.