Kombëtarja e Kosovës e ka nisur sot grumbullimin për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022” kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë.

Si zakonisht Dardanët menjëherë pas ndeshjeve të fundjavës me klubet e tyre kanë arritur në Kosovë dhe janë akomoduar në hotel “Emerald”, derisa në mbrëmjen e sotme e kanë zhvilluar stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në këtë stërvitje përzgjedhësi Bernard Challandes dhe stafi i tij kishin në dispozicion 19 futbollistë, teksa ekipit nga stërvitja e nesërme do t’i bashkohen edhe Milot Rashica, Bersant Celina, Florent Hadërgjonaj, Lirim Kastrati dhe Herolind Shala.

Për herë të parë pjesë e Dardanëve ishte edhe Toni Domgjoni, të cilit stafi dhe bashkëlojtarët i dëshiruan mirëseardhje dhe ambientim të lehtë me ekipin.

Futbollistët që ishin të angazhuar me klubet e tyre gjatë ditës së diel kanë stërvitur me intensitet më të ulët, derisa pjesa tjetër kanë stërvitur normalisht dhe me përkushtim.

Dardanët do të vazhdojnë përgatitjet të kompletuar dhe me intensitet të plotë ditëve në vazhdim, ku nesër do të zbresin sërish në fushë në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa më pas për dy ditë do të stërviten në Kompleksin e FFK-së në Hajvali në orën 12:00.