Kosova është në mesin e dhjetë vendeve që Gjermania më së shumti iu ka lëshuar viza gjatë pandemisë.

Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës thonë se e gjithë orientimi i rinisë është rikthyer te largimi nga vendi, pasi nuk po paguhen konform punës që bëjnë.

“Të rinjtë janë të orientuar në atë drejtim që sa më shpejtë të dalin nga ky vend pasi që pagesat nuk po iu bëhen konform punës që bëjnë. Për shkak të pagave që po iu ofrohen, shumë punëtorë më të arsyeshme po e shohin që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre që të mos bëjnë shpenzime, pasi në disa raste shpenzimet janë më të mëdha se paga që pranojnë”, deklaroi për RTV Dukagjinin Jusuf Azemi nga SPSPK.

Këtë fenomen e shohin shqetësues edhe njohësit e çështjeve ekonomike. Sipas tyre qytetarët e kanë humbur besimin në tregun e punës.

Ata paralajmërojnë se kjo dukuri mund të sjellë në Kosovë çrregullim të ekonomisë, përcjell Telegrafi.

“Këto lëvizje mund të shkaktojnë disekuilibër në tregun e punës pasi që edhe nëse vijnë investitorët e jashtëm, nuk do të gjejnë fuqi punëtore dhe ne nuk mund të kemi as rritje e zhvillim ekonomik”, deklaroi ekonomisti Egzon Kastrati.

Por ka edhe nga ata që fajin e lënë te kurrikulat universitare, që nuk i ofrojnë tregut fuqinë punëtore që e kërkon.

“Mund të konludojmë se kemi një diskrepancë të madhe mes asaj se çfarë po kërkohet në tregun e punës dhe çfarë po prodhon Universiteti i Prishtinës”, deklaroi Fjolla Smajli nga Oda e Afarizmit të Kosovës.

Një studim i realizuar nga Instituti i Politikave Evropiane të Kosovës në vitin 2019, tregoi se nga viti 2010 deri në vitin 2018 nga Kosova drejt vendeve të BE-së u larguan mbi 200 mijë shtetas të Kosovës që më pas azil në këto vende.