Zeqir Kiqina, ushtrues i detyrës i kryeshefit të Telekomit të Kosovës, ia ka ofruar dorëheqjen Bordit të Drejtorëve nga kjo pozitë për arsye shëndetësore.


Zyra për Media e Telekomit njofton se Kiqina do të ketë gjatë kësaj jave një operim të rekomanduar nga mjeku dhe e ka qenë pamundur që të vazhdojë tutje me udhëheqjen e kompanisë.


“Me qëllim që të mos ketë asnjë ngecje në menaxhimin e saj, ai ka kërkuar nga Bordi që të lirohet nga kjo pozitë”, thuhet në njoftim.


Bordi i Drejtorëve ka votuar në mënyrë unanime për dorëheqjen e tij dhe i ka uruar atij shërim të shpejtë.


“Gjithashtu Bordi ka falënderuar Kiqinën për kontributin e dhënë në menaxhimin e kompanisë në këtë kohë të vështirë pandemike”.


Po në këtë mbledhje është aprovuar edhe dorëheqja e u.d. të zyrtarit kryesor financiar dhe të Thesarit z. Agim Matoshi. Bordi po ashtu ka falënderuar Matoshin për kontributin e dhënë në menaxhimin e kompanisë në këtë kohë të vështirë pandemie.


Dy zyrtarët e lartë të kompanisë në përputhje me proceduarat e brendshme do të kthehen në pozitat që kanë pasur më herët.


Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve me vendim unanim ka emëruar si u.d. të kryeshefit ekzekutiv Burbuqe Hanën dhe në pozitën e u.d. të zyrtarit kryesor financiar dhe të Thesarit Feim Kelmendin. /Zëri