9:20 | 11 Janar 2022

09:20 | 11 Janar 2022

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj, ka thënë se në Telekomin e Kosovës ka njerëz të cilët marrin paga të larta në këtë kompani, edhe që nënshkruajnë edhe kontrata të dëmshme, dhe po ashtu sipas tij, vishen me uniformën e secilës parti që vjen në pushtet.

“Është gjynah me shkel pragun e Telekomit, pos që kanë marrë paga marramendëse në Telekom, kanë nënshkruar edhe kontrata të dëmshme …. Këta njerëz po i veshin uniformat e secilës parti që po vjen në pushtet. Ata njerëz duhet me u shkarku”, ka thënë Balaj për T7.

ipas Balaj Telekomi ka potencial për t’u rikthyer në treg, në qoftë se do të kishte një menaxhim më të mirë.

“Besojmë fuqishëm që ndërmarrja ka potencial dhe ka kapacitete ka njerëz ka gjithçka që i duhet një kompanie me u kthy në treg, por ajo që telekomi ka ra në këtë gjendje është keq menaxhimi, kontratat e dëmshme, të panevojshme, deri te mjetet financiare që kanë dalë nga Telekomi pa kontrolle”, ka shtuar ai.

Ai po ashtu foli edhe për borxhet në Telekom ku tha në fillim të vitit 2021 kanë qenë rreth 70 milionë ndërkaq momentalisht ka -35 milionë euro borxhe.

Sipas tij punëtorët e Telekomit janë ata që po e mbajnë gjallë këtë kompani.

“Aksionari më i madh i Telekomit janë punëtorët e tij që nuk e kanë lanë me ra për toke, sepse disa qeveri të kaluara e kanë proklamu edhe falimentimin e Telekomit, por ne si punëtorë nuk e kemi leju një gjë të tillë. Punëtorëve ua kemi ulë pagat në vazhdimësi për mos me falimentu Telekomi”, tha ai.

Ai tha se pikat kyçe ku duhet investuar janë në telefoninë fikse dhe internet, zgjerimin e rrjetit 4G dhe intervenimi në zyrat e përgjimit, ku për këtë të fundit ai tha se njerëz të Telekomit nuk kanë qasje në këtë zyrë, por është e mbikëqyrur nga shteti

“Zyra e përgjimeve është e obligume me ligj, secila kompani duhet me pasë zyrën e përgjimeve, por stafi nuk ka qasje në të, janë pajisje të kodume, janë të mbikëqyrura nga ana e shtetit:”, ka thënë ai.

Ai tha se tash e tutje në Telekom nuk do të jenë 16 drejtori sa ishin deri tani, por vetëm katër të tilla.