Të arrish në majë, është e vështirë, por edhe shumë është qëndrosh aty. Roberto Mancini, dy ditë para përplasjes me Spanjën, në gjysmëfinale të Nations League, i bën të qarta objektivat e “të kaltërve”.

“Do të ishte mirë të fitonim Ligën e Kombeve menjëherë pas Kampionatit Europian dhe të kualifikoheshim sa më herët në Kupën e Botës, “Katar 2022”, por nuk do të jetë e lehtë,” – shpjegoi trajneri italian për faqen e UEFA-s. “Spanja ishte skuadra që na vuri më shumë në vështirësi gjatë “Euro 2020”. Ata janë të fortë dhe kanë lojtarë të mirë. Do të jetë një ndeshje e bukur.”

“San Siro”, zakonisht, mbushet plot kur luan ekipi kombëtar. Sidomos pas atij triumfi, ndoshta edhe të papritur, në “Euro 2020”.

“Ishte fantastike, sepse bëmë shumë njerëz të lumtur, të rinj dhe të moshuar. Ishte festë për të gjithë, ndoshta për shkak të periudhës që po përjetojmë. Tifozët ishin entuziastë dhe ne luajmë për të argëtuar njerëzit.”Reklamë

Duke folur për talentet e reja të ekipit kombëtar, ish-trajneri i City-t, Interit etj., më tej vuri në dukje:

“Donnarumma filloi të luante në një moshë shumë të re dhe ka cilësi të mëdha. Ai përmirësohet vit pas viti dhe dëshiron të konsiderohet portieri më i mirë në botë. Ishim shumë me fat që e kishim në Euro 2020. Chiesa? Mendoj se Federico mund të rritet më tej, po përmirësohet në aspekte të ndryshme. Ai ka aftësi të mira atletike dhe teknike. Duhet të rritet mendërisht dhe të gjejë stabilitet. Ka shumë mënyra për të fituar. Perceptimi për Italinë ka ndryshuar, por njerëzit nuk mund të harrojnë se Italia ka fituar katër Kupa Bote. Ne jemi kampionë të Europës dhe kemi një histori të rëndësishme”.