Faton Sadiku, 31-vjeçari kosovar, i cili në shkurt të vitit të kaluar tronditi Belgjikën pasi mori peng një rojtare të re në burgun e Bryzhit, është dënuar me tetë vjet burgim.

Aktvendimi i Gjykatës së Bryzhit është shpallur të premten, raporton mediumi belg Het Nieuwsblad.

Prokurori kishte kërkuar 15 vite burg për Sadikun, një emigrant në Belgjikë nga komuniteti rom i Kosovës. Sadiku kishte rrëmbyer, kërcënuar me thikë dhe mbajtur peng rojtaren e burgut të Bryzhit, 24-vjeçen, Morgane Verdikt.

“Morgane tashmë e ka mbyllur këtë çështje,” tha nëna e viktimës të premten. “Dënimi ishte i një rëndësie të dytë.”

Teksa po vuante një burgim prej 2.5 vitesh në burgun e Bryzhit për përfshirje në një vrasje për gjakmarrje në qytetin Sint-Niklas, më 2 shkurt të vitit të kaluar, Sadiku kishte mbajtur për rreth tri orë peng rojtaren e burgut, Verdikt, me kërkesë për lirimin nga burgu.