Kam mujt me pasë gjakderdhje në kry, 18 kamsa n’kry. Ata m’kanë mytë mu, po Zoti s’ka dashtë me ma marrë shpirtin”.Kështu e nis rrëfimin e tij Muhamet Peci nga Vushtrria, i cili natën e 21 nëntorit u sulmua nga katër persona në lokalin e tij në qendër të qytetit.

Historia konfliktuoze, sipas tij, nisi nga një lojë e futbollit, ku njëri nga lojtarët e ekipit kundërshtar e kishte paralajmëruar se do të kishte probleme, madje i kishte thënë se do t’ia thyente këmbët.

“Ka thonë kom me t’i thy kamt. M’ka sha në familje. M’ka hy keq në kamë, jena kacafytë. T’u lujtë futboll, ka fillu me hy keq, m’ka rrëzu. Jemi përleshë pak edhe jena nda”, rrëfen ai.

Përleshja në fushën e futbollit nuk i dha fund konfliktit mes tyre. Sipas Muhametit, menjëherë pas lojës, R.O., i shoqëruar nga babai i tij dhe disa fqinj, i kishin dalë në pritë te lokali i tij.Pavarësisht që Muhameti u kishte sqaruar që ishte vetëm një lojë, mysafirët e paftuar nuk ishin bindur dhe kishin nxjerrë mjetet e forta, me të cilat kishin filluar ta godisnin.