Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se gjatë qëndrimit të tij dy ditorë në Holandë, ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.

Mehaj thotë se takoi Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa ka biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin, për të cilin thotë se është duke u përballur me probleme shëndetësore.

Në këto takime, ai thotë se i ka njoftuar se me zhvillimet në vend, në fokus thotë se foli për zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO.

Ministri Mehaj thotë se beson pa asnjë “hamendësim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare”.“Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajsinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë”- ka shkruar ministri Mehaj duke uruar që të lirohen të gjithë sa më shpejtë.

“Ditët e së ardhmes së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore” – ka shkruar ministri Armend Mehaj në postimin e tij në rrjetin social “Facebook”, të mërkurën.