Manchester United, në pritje për të filluar epoka Ten Hag, po fundoset dhe rreziku është që në sezonin e ardhshëm Djajtë e Kuq të luajnë në Conference League.

Dhe nëse ideja për të luajtur në Europa League mund t’i duket absurde Cristiano Ronaldo-s, përfundimi në kompeticionin e tretë europian për klube mund ta bindë pesë herë fituesin e Topit të Artë të largohet nga Old Trafford.

A është ky qëllimi i portugezit? Vështirë të thuhet, por dikush në familje është shprehur pak a shumë në lidhje me këtë çështje. Dhe nuk janë lajme shumë të mira për Manchester United, gjithmonë nëse klubi ka dëshirë ta mbajë numrin 7 në ekip.

LIKE – Një e dhënë mbi të ardhmen e luzitanit ka ardhur nga motra e tij Katia Aveiro, gjithmonë shumë aktive në rrjetet sociale. Një “like” për një post që flen për të ardhmen e CR7 ka tërhequr shumë vëmendjen.

Siç ka shpjeguar Mirror, motra e portugezit ka pëlqyer postimin e bërë nga profili i Instagram-it @cr7.o_lendario, që në të kaluarën ka përfunduar në qendër të zërave të merkatos për reagimet e familjes Ronaldo.

Çfarë thoshte postimi? Se Cristiano nuk duhet të ndihet i detyruar të qëndrojë për besnikëri te klubi që e ka bërë të madh, por se duhet të largohet, të kërkojë një skuadër me të cilën mund të fitojë trofe të tjerë dhe të vendosë rekorde të rinj.

POSTIMI – “Është shumë e trishtueshme ta shikosh Cristiano Ronaldo-n në këtë situatë te Manchester United, ka humbur edhe vendin në Champions League”, lexohet në mesazhin e postuar në Instagram.

“Dhe Cristiano nuk është i detyruar të qëndrojë për të treguar dashurinë e tij për klubin, e ka bërë kur është kthyer te United pavarësisht një oferte të Manchester City-t, që është një skuadër më e fortë, ka një trajner më të mirë dhe një histori më fituese në vitet e fundit.

“Tani, Cristiano duhet të mendojë vetëm për Cristiano-n. Manchester United do të ekzistojë edhe për njëmijë vite të tjerë, por duhet të kërkojë një skuadër më të mirë sepse e meriton dhe sepse ka akoma shumë për të fituar”.

Një mesazh që duket se ka prekur Katia Aveiro-n, e cila i ka dhënë pëlqimin e saj. Dhe ku i dihet nëse kjo nuk është edhe ajo që mendon vetë Cristiano…