Nuk janë të rralla rastet kur prindërit kosovarë denoncojnë fëmijët e tyre për dhunën fizike dhe psikike që ua shkaktojnë në familje, për shkak të parave e gjësendeve me vlerë. Një rast i tillë, i rëndë, është denoncuar edhe dje nga një nënë në Ferizaj, e cila ka raportuar se është në telashe me të birin.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se deri të dhuna ka ardhur pas një mosmarrëveshje që djali kishte me nënën e tij, për shkak se kjo e fundit nuk i kishte dhënë para siç kishte kërkuar. Në hall me djalin e saj, nëna e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se si është përballur.

Sipas deklaratës së saj, të dhënë para zyrtarëve policorë, i dyshuari fillimisht i kishte kërkuar të holla dhe telefonin e saj, por pasi e njëjta ka refuzuar për t’ia dhënë, aty ka plasur sherri. Në shenjë revolte, i dyshuari ka dëmtuar orenditë e shtëpisë, duke demoluar totalisht gjithçka që i doli para syve vetëm pse nëna s’i dha para.

Por çfarë deklaroi i dyshuari për dhunën që ia shkaktoi nënës?

Siç mëson Sinjali, i riu e ka pranuar veprën të cilën e ka kryer, duke u arsyetuar se në momentin kur ndodhi ngjarja ka qenë i nervozuar pasi nëna e tij s’i dha para dhe nuk kishte cigare për të konsumuar.

Ndryshe, Sinjali mëson se kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë familje, pasi i dyshuari më parë kishte vjedhur në shtëpinë e tij gjësende me vlerë, të cilat më pas i kishte shitur.

Ndërsa lidhur me rastin e denoncuar, Njësiti i hetimeve posa ka përfunduar intervistimin e të dyshuarit, është konsultuar me prokurorin kujdestar, me urdhër të të cilit i riu është ndaluar për 48 orë si i dyshuar për dhunë në familje.