Në Newcastle-upon-Tyne s’ka pak që ka nisur epoka e re, kur fondi PIF, i lidhur me qeverinë e Arabisë Saudite, ka blerë klubin, me premtimin për ta kthyer St. James’ Park në… Mekën e futbollit anglez dhe botëror.

Dhe bardhezinjtë kanë filluar ta ngrenë zërin në merkato, duke marrë janarin e kaluar Bruno Guimaraes nga Lyon për mbi 40 milionë euro dhe më pas duke i vjedhur Milan-it mbrojtësin Sven Botman, për të cilin i kanë paguar 37 milionë euro Lille.

Megjithatë, blerja më e shtrenjtë në historinë e Newcastle nuk është kaluar akoma. Çështje kohe, natyrisht, por për momentin ky rekord mbahet akoma nga Joelinton, i marrë në sezonin 2019/20 për 44 milionë euro nga Hoffenheim.

Ndryshim pozicioni

Nga ana tjetër, një sulmues i mirë duhet paguar shumë, apo jo? Problemi është se braziliani ka zhgënjyer dhe jo pak. Ata që prisnin nga ai lumë golash nuk kanë mbetur të kënaqur. Kështu që mund të flitet për një dështim historik.

Por jo, sepse Joelinton i ka krijuar vetes një mundësi të dytë në një vend tjetër. Në kuptimin e… një tjetër zone të fushës. Siç ka shpjeguar vetë ai në një intervistë të dhënë për The Sun, braziliani ka patur sukses si mesfushor shkatërrues.

Jo saktësisht ajo që pritej nga ai, por trajnerit Hoëie po i pëlqen ajo që po shikon në fushë nga lojtari dhe vetë futbollisti është i kënaqur për këtë zhvillim të veçantë.

Si Vieira

“Nëse një vit më parë do të më kishit thënë se do të kisha luajtur në mesfushë, nuk do ta kisha besuar kurrë. Por ndoshta ishte fati im”. Nga ana tjetër, cilësitë fizike nuk mungojnë.

“Më pëlqen kontakti, duhet të fitoj çdo duel dhe jap gjithçka në fushë, jam me fat që kam një trup të mirë. Jam i madh dhe i kam këmbët e gjata, kështu që përplasjet me kundërshtarët janë më të lehta.

“Por duhet të përmirësohem në goditjet me kokë, jam i gjatë, por nuk është specialiteti im, të gjithë më pyesin gjithmonë pse nuk kam shënuar shumë me kokë”.

Për sa u takon golave, largësia me portën është një problem familjar. “Djali im 5 vjeç është tifozi im më i madh dhe më pyet gjithmonë pse nuk shënoj. Kam shumë presion në shtëpi.

Por Joelinton e shton presionin ndaj vetes me një idhull të rëndësishëm. “Një ditë do të doja të luaja si Vieira”. Jo saktësisht një gjë e lehtë, por duke parë si po shkojnë gjërat, kurrë mos thuaj kurrë…