Kanë nisur punimet në magjistralen Podujevë – Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur deputeti nga Podujeva, Fitim Haziri.

Në një shkrim në Facebook, Haziri u ka kërkuar falje qytetarëve për vonesën e nisjes së këtyre punimeve, derisa ka thënë se përveç takimeve në të kaluarën me zyrtarët e ministrisë, nesër do të takohen sërish që ankesat e llapjanëve t’i adresojë tek ata për kohën e ndërtimit të kësaj rruge dhe cilësisë së saj.

Shkrimi i plotë nga Fitim Haziri:

Bashkëvendas të nderuar,

E di që keni pritur gjatë, fillimisht për rinisje të punimeve në magjistralen Podujevë – Prishtinë, e pastaj edhe për sanim të prishjeve që janë shkaktuar nga punimet që kanë ndodhur deri më tani.

Fillimisht ju kërkoj falje në mënyrën më të sinqert për vonesën e nisjes së punimeve dhe ju njoftoj se ato kanë nisur sot.

Mirëpo, unë si përfaqësues i juaji, nuk kam qenë i kënaqur gjatë kësaj kohe për mënyrën se si inxhinierët e projektit e kanë trajtuar këtë rrugë, derisa bashkë me kolegë deputetë kemi pasur dhjetëra takime me zyrtarë të ministrisë, për t’i adresuar shqetësimet e juaja, që janë të përbashkëta me tonat.

Nesër do të kemi sërish takim me zv.ministrin e Infrastrukturës, nga i cili do të njoftohemi në tërësi edhe një herë për këtë projekt, pasi që kërkesë e jona është që përveç kohës sa do të përfundojë kjo rrugë, cilësia e projektit të jetë shumë më e mirë dhe shumë më ndryshe se që ka qenë deri më tani.

Do të jemi në kontakt të vazhdueshëm për këtë dhe projekte të tjera, sepse vetëm bashkë mund të bëjmë punë të mira!