Parlamenti i Kosovës ka filluar nismën për hartimin e një ligji që synon të rregulloj fushën e monedhave virtuale, ndryshe të njohura si kriptovaluta.

Deputetja, Mimoza Kusari Lila që udhëheq grupin punues për hartimin e projetkligjit për veprimtarinë e kriptovalutave thotë se aktualisht po shikohen vendet tjera si e kanë rregulluar një legjislacion të tillë.

“Në komision e kemi diskutuar dhe kemi kërkuar një hulumtim nga zyra për hulumtime e Kuvendit të Kosovës, hulumtim ky që na është përcjellur prapa në mënyrë se si është rregulluar në vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Një fakt i pakontestuar është se nuk ka një mënyrë të uniformuar në atë se si rregullohet veprimtari e kriptovalutave, nuk ka lidhshmëri që dihet në vendet e rajonit që është e rregulluar përmes Bankës Qendrore do të thotë si aktivitet financiar por si aktivitet ekonomik”, tha ajo.

Zonja Kusari Lila thotë se ideja e projektligjit ka filluar pas shqetësimeve për rritje të konsumimit të energjisë elektrike në mënyrë të paligjshme në veriun e Kosovës dhe të parandalohet krimi i organizuar dhe veprimtaritë jolegale me këtë monedhë.

“Natyrisht të mundësohet veprimtari legale për ata që dëshirojnë që të kenë veprimtari prandaj përmenda Doganat e Kosovës për arsye se pjesë do të bëhet që të rregullohen procedurat për pjesët e importuara për “mining” dhe natyrisht verifikimi pastaj autoriteti që duhet t’i jipet edhe Administratës Tatimore edhe Doganave për të përcjellë mëtutje nëse ka informacione sepse aktualisht sot edhe nëse dëshirojmë të ndalojmë për shembull “mining” që konsumon energji ilegale nuk ka bazë ligjore në të cilin mund të sanksinohen veprimtaria e tillë pasi që nuk ka ndonjë rregullim me ligj”, tha ajo.

Zonja Kusari Lila thotë se me ligj nuk synohet të ndalohet veprimtaria me monedhat digjitale por të futet në kontroll, duke verifikuar pajisjet e importuara për të krijuar këtë monedhë, veprimtaria e transaksioneve dhe forma e tatimit.

Njohësi i fushës së prodhimit të monedhës virtuale, Milot Mehmeti i cili edhe ka investuar në monedha të tilla thotë se rregullimi i tyre me ligj do të jetë një ndihmë e madhe për shtetin e Kosovës.

“Për shkak se hap rrugën e kësaj teknologjie inovative, hap rrugën e rinisë për të qenë pjesë të saj, kemi programera të ndryshëm, kemi njerëz që kalojnë kohë shumë të madhe online edhe besoj që secilin prej tyre dhe për secilin investitor të ardhshëm kishte me qenë shumë e mirë. Shtetet e ndryshme të vogla veç kanë bërë nisma tilla, kanë krijuar ligje të tilla dhe ja kanë mundësu investitorëve tjerë të jashtëm që të investojnë në ato shtete kështu që besoj që kishte me qenë shumë pozitive për shtetin tone”, tha ai.

Zoti Mehmeti thotë se në Kosovë aktualisht nuk ka shumë investitorë të monedhës digjitale. Ai thotë se fatkeqësisht grupet kriminale gjithmonë përdorin teknologjitë e reja për të zhvilluar krime të ndryshme por sipas tij monedha digjitale është më lehtë e gjurmueshme në rast se përdoret për veprimtari të ndryshme kriminale.

“Me kriptovaluta do ta kemi shumë më lehtë të gjurmohen ato, nesër për shembull kur krijohet një ligj që të cakton një adresë për person atëherë ka me qenë më e lehtë për t’u parë çdo transaksion dhe çdo punë që është bërë në atë adresë’, tha ai.

Ai thotë se Kosova ka mekanizma të ndryshëm për të kontrolluar importin e pajisjeve dhe në parandalimin e keqpërdorimit të energjisë elektrike nga prodhimi i kësaj valute.

“I takon Korporatës Energjetikë të Kosovës e cila për KEDS e cila e sheh se sa po shpenzon secila lagje energji elektrike edhe në atë mënyrë mund të hulumtojë dhe të sheh se kush po e përdorë energjinë elektrike në mënyrë të paligjshme. Kjo nuk ndoh në qytete tjera të Kosovës, ndoshta shumë pak, kjo ka ndodh në Mitrovicën e Veriut për arsye që i dimë dhe mendoj që rregullimi i asaj çështje e parandalon krimin me kriptovaluta”, tha ai.

Ekspertët thonë se me rregullimin me ligj të investimit në monedha virtuale, Kosova do të mbetet në hap me vendet tjera të zhvilluara që tashmë e kanë futur në përdorim një valutë të tillë./VoA