I rikthyer sërish në stërvitje me skuadrën e Chelsea pas një dëmtimi 2-mujor, portieri senegalez Edouard Mendy është i paqartë për të ardhmen e tij. Sipas të përditshmes britanike “The Times”, portieri 31-vjeçar, që nuk ka zbritur në fushë që prej botërorit Katar 2022, kërkon më shumë hapësira te “blues”.

Gjithsesi, vështirë se ai do të rikthehet titullar këtë sezon me Chelsea, pasi trajneri Graham Potter i beson më shumë spanjollit Kepa Arrizabalaga. Për pasojë, Mendy, që vjet shpallej “portieri më i mirë në botë”, po sheh mundësinë e largimit nga Chelsea, me të cilin ka një kontratë deri në verën e vitit 2025 dhe kushton rreth 25 milionë euro.

Palët duket se nuk do të rinovojnë kontratën, ndaj “blues” po shohin për një zëvendësues të Mendy. Mediat sqarojnë se mes portierëve të monitoruar për të ardhur në “Stamford Bridge” janë David Raya (Brentford), Illan Meslier (Leeds) dhe Robert Sanchez (Brighton).