Fjalë të ashpra nga Patrice Evra kundrejt Pep Guardiola-s dhe Manchester City-t. Pas kritikave të bëra menjëherë pas eliminimit nga Champions League të anglezëve kundër Real Madrid, ish-futbollisti francez është kthyer në sulm.

“Manchester City-t i duhen lider, por Guardiola nuk do lider. Nuk do personalitet. Është ai lideri. Kështu i zgjedh skuadrat e tij, nuk mund të punojë me persona që kanë personalitet”, ka thënë Evra për Prime Video.

“E ka bërë te Barcelona, por i ndërton skuadrat e tij në mënyrë që t;i kontrollojë të gjithë. Kur gjërat shkojnë keq, vendos gjithmonë ai”.

Dhe akoma në lidhje me Champions League: “City ka gabuar, kjo është e vërteta. Janë tronditur. Më kujtojnë PSG-në: janë klube të bazuar te paratë”, ka vazhduar Evera.

“Edhe Real Madrid është i pasur, por ka një histori mbrapa; Manchester City ka vetëm para dhe lojtarët shkojnë atje vetëm për paratë. Më pas fitojnë trofe, sigurisht, por një lojtar zgjedh të shkojë te Manchester City vetëm sepse ofron më shumë”.