Përshëndetja e ftohtë mes Cristiano Ronaldo-s dhe Bruno Fernandes në dhomat e zhveshjes së Portugalisë në ditën e parë të stërvitjes para Kupës së Botës bëri xhiron e internetit dhe në revistat sportive.

Tensionet e ardhura nga situata e CR7 me Manchester United duket se kanë arritur edhe te kombëtarja luzitane. Megjithatë, duket se nuk është ashtu siç duket.

Bruno Fernandes e konfirmoi këtë për Sky Sports: “Unë nuk kam probleme me askënd. Unë bëj punën time dhe siç më tha një trajner dikur, ‘gjithçka që mund të kontrollosh është vetvetja’. Mendoj se të gjithë do të pajtohen me mua. Duhet të kontrollosh veten dhe të japësh gjithçka në fushë, kjo është e gjitha”.

Për përshëndetjen me CR7: “Nëse e përshëndeta Cristiano Ronaldo-n ftohtë? Pse e thoni këtë? Kjo video u shfaq më vonë me audio. E keni parë? Atëherë duhet ta bëni.

“Pashë një kronikë në TV ku thuhej se unë e prita Cristiano-n në mënyrë të ftohtë, pastaj hynë në reklama dhe u dërgua një video me një tingull që thoshte se Ronaldo po bënte shaka me mua.

“Po të kishin shpjeguar vërtet ato që thamë, njerëzit do ta dinin dhe nuk do të flisnin kot. Unë nuk kam probleme me askënd dhe mendoj vetëm të bëj punën time”.

Dhe përsëri: “Duhej të shpjegohej që njerëzit ta dinin. Por tani njerëzit nuk e dinë. Tani jemi në kombëtare, me Portugalinë. Do të përqendrohem te Manchester United pas Kupës së Botës.

“Duhet të fokusohemi në Kupën e Botës, sepse nuk e keni mundësinë ta luani atë shumë herë. Cristiano do të luajë në Kupën e tij të pestë të Botës, të gjithë janë gati për të dhe duan të bëjnë gjithçka që është e mundur për ekipin”.