Debutim me spektakolar Darwin Nunez nuk mund te kishte parashikuar… Uruguajiani shënoi gol dhe fitoi penallti në ndeshjen e parë zyrtare me Liverpoolin. Sulmuesi uruguaian, për të cilin “The Reds” kanë investuar 100 milionë euro, la shenjën e tij në finalen e Superkupës së Anglisë.

Skuadra e Jurgen Klopp mposhti 3-1 Manchester City dhe riktheu trofeun e Superkupës në “Anfield” pas 16 vitesh. Në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit, Virgil Van Dijk nuk i kurseu këshillat për sulmuesin e ri.

“Nunez është fenomen, por ai duhet të vazhdojë të punojë fort dhe të mësojë. Ai mund të mësojë shumë nga Firminho. Bobby është një ndër më të mirët në rolin e tij, Nunez mund të përfitojë dhe mësojë shumë gjëra prej tij.

Ne kemi një stil loje ku sulmuesit i duhet të bëjë shumë edhe në aspektin mbrojtës, diçka që sulmuesit e rinj duhet ta kenë të qartë. Nunez mund të mbrojë nga lart, duke bërë presion te kundërshtarët.

Duke llogaritur të gjithë bagazhin e tij teknik mund të them se ai është një vlerë e shtuar e skuadrës tonë. E nisi mirë, por është vetëm fillimi. Gjithsesi, ne kemi besim se do të shënojë shumë për Liverpoolin.

Presion për shkak të investimit të madh? Kështu ka ndodhur edhe me mua… Ishte e rëndësishme që Nunez shënoi. Ai nuk duhet të mendojë për atë që ndodhi në merkato, besoj se nuk e vret trurin.

Ai thjesht duhet të mbajë kokën ulur, të punojë shumë dhe të jetë i rëndësishëm për klubin. Unë mendoj se ai i tregoi këto cilësi”, deklaroi lideri i mbrojtjes së skuadrës së Jurgen Klopp.