Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) bëri të ditur se tregtia globale e mallrave ka marrë vrull dhe ka kaluar kulmin e saj të para pandemisë, pavarësisht çështjeve të furnizimit, por fuqia e rimëkëmbjes varet nga qasja në vaksinat kundër Covid-19.

Sipas vlerësimeve të reja nga OBT, vëllimi i tregtisë botërore të mallrave pritet të rritet me 10.8 për qind këtë vit dhe 4.7 për qind në 2022-shin, bën të ditur agjencia e lajmeve “AFP”.

Në mars, OBT-ja priste një rritje respektivisht prej 8 për qind dhe 4 për qind.

“Një rikthim i konsiderueshëm mund të pritet duke pasur parasysh shkallën e rënies së tregtisë, që shoqëroi fillimin e pandemisë Covid-19 në vitin 2020, kur vëllimi i tregtisë globale të mallrave u tkurr me 5,3 për qind”, -tha drejtoresha e përgjithshme e OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala, në një konferencë për shtyp.

Sipas ekonomistëve të OBT-së, kjo rritje pritet të modelohet, pasi tregtia e mallrave të kthehet në trendin afatgjatë që ishte para pandemisë.