Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) përmes një shkrese ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë që sa më parë të gjendet mundësia dhe të fillojë vaksinimi i të punësuarve të sektorit privat në mënyrë që të mos ketë pengesa në lëvizjen e të punësuarve të tyre për çështjet biznesore.

Një kërkesë e tillë sipas OAK-ut vije me shkas pasi Bashkimi Evropian shumë shpejt pritet të kushtëzojë lëvizjen e qytetarëve në bazë të vaksinimit, përcjell Telegrafi.

“OAK vlerëson se një gjë e tillë do të paraqes pengesa dhe vështirësi të jashtëzakonshme në lëvizjen e stafit të sektorit privat për udhëtime jashtë vendit, qoftë për furnizim me lëndë të parë, produkte apo gjysmëprodukte ashtu edhe për marrëveshjet dhe vazhdimin e kontratave të tyre ndërkombëtare. Po ashtu, vaksinimi i kësaj kategorie duhet të jetë me prioritet për shkak se të njëjtit duhet të vazhdojnë ushtrimin e veprimtarisë së tyre dhe kësisoj janë shumë të rrezikuar për infektim dhe përhapje të virusit për shkak të kontakteve të shumta që këta të fundit kanë”, thuhet në njoftim.

Në fund, OAK konsideron se vaksinimi i stafit është esenciale, pasi që do të ndihmonte në mos ndaljen e punës së operatorëve ekonomik të cilët për të ushtruar veprimtarinë e tyre domosdoshmërish obligohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.