Mediumi gjerman “Focus.de” ka paralajmëruar përmbytje të mëdha gjatë kësaj jave dhe javës së ardhshme. Sipas këtij mediumi, reshjet e shiut pritet të kapin shifra rekord, deri në 300 litra shi për metër katror në 24 orë. Lidhur me këto paralajmërime, ka folur meteorologu Mendim Rugova.

Rugova ka deklaruar se mundësitë për vërshime mund të jenë më të mëdha në Jugun e Shqipërisë.

“Në këto ditë vendi ynë ndodhet në ndikimin e fushave ciklonike në rajon që po sjellin edhe këtë mot me të reshura. E sa i përket disa paralajmërimeve nga mediat gjermane, për reshje vërshuese, nga Shqipëria dhe nga Kosova, mundësitë për vërshime mund të jenë më të mëdha në Jugun e Shqipërisë, ku edhe në këto 24 orë të fundit në Sarandë janë regjistruar afër 100 mm të reshura ndërsa në Korçë deri në 80 mm e në Ishullin e Korfuzit në dy ditët e shkuara janë regjistruar afër 200 mm të reshura”, ka deklaruar Rugova.

Rugova ka treguar se përgjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë ka pasur të reshura ndërmjet 10 e 20 mm.

“Në vendin tonë, në 24 orët e fundit ka pasur të reshura ndërmjet 10 e 20 mm. Në ditët në vijim parashihet të ketë ende të reshura edhe në rajon, që e rrisin mundësinë e vërshimeve nga Shqipëria, por që në vendin tonë reshjet do të jenë më pak intensive”, ka deklaruar Rugova.

Ndryshe, mediumi gjerman ka raportuar të enjten se shiu do të shkaktojë përmbytje ekstreme dhe rrëshqitje dheu, ndërsa alarmi ngrihet edhe për tornado që pritet të aktivizohen pranë bregdetit.

Por jo vetëm Shqipëria dhe Greqia do të preken nga shiu. Bregdeti italian i Adriatikut, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe pjesë të Rumanisë gjithashtu do të kenë mot me reshje të dendura.

“Por ajo që do të ndodhë në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore është e vështirë të kalohet. Dikush nuk mund të paralajmërojë sa duhet për të. Në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore ekziston një rrezik për jetën e qytetarëve”, shkruhet ndër të tjera në artikull.