Merkato po hyn në fazën e saj të nxehtë dhe në fushë ka zbritur edhe Fabio Paratici, drejtori i përgjithshëm i Tottenham-it.

Në një ditë takimesh në Milano me drejtues dhe lojtarë të ndryshëm, ish-drejtuesi i Juventus-it është shfaqur në kryeqendrën milaneze, duke përgatitur lëvizje të rëndësishme për skuadrën e Antonio Conte-s.

Në veçanti, sipas Sky Sport, në një takim të zhvilluar me Tiago Pinto-n, drejtori sportiv i Roma-s, duket se janë kërkuar informacione për Nicolo Zaniolo-n.

22-vjeçari i verdhekuqve mbetet kështu në shënjestrën e Spurs, edhe pse për momentin duket se nuk është hapur akoma asnjë negociatë. Tiago Pinto ka folur për Zaniolo-n edhe me Milan-in, sipas Calciomercato.it.

Megjithatë, Paratici ka folur edhe për shitje të mundshme. Me Roma-n ka folur për mbrojtësin Rodon, 24 vjeç, i cili vlerësohet shumë nga Mourinho, dhe me Sampdoria-n për huazimin e mundshëm të Bryan Gil.