Forca të shtuara të Njësisë speciale të Kosovës kanë arritur tek ura e lumit Ibër, përfshirë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe karabinierët italianë.

E gjithë kjo vjen në kohën kur në veri rreth orës 18:00 janë aktivizuar sirenat për alarm.

Mediat serbe raportojnë për grumbullim të serbëve të Rudare në Zveçan një ditë para hyrjes në fuqi të masave reciproke ndaj letërnjoftimeve dhe targave serbe.

Ndërkaq, këtë të diel, edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje – në të cilën u diskutua për dy vendimet e Qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë.

“Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë”, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Kurtit, nuk do të ketë vend për tension, apo për destabilizim, pasi tha se po bëhet diçka legjitime, diçka legale.

“Nuk ka kurrfarë vendi për tension, nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, barrikada, bllokime, destabilizim, tesione flasin për vete, nuk flasin për neve”.

“Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë qysh është më së miri. Ndërkaq, edhe një herë i ftoj qytetarët e Kosovëss, që kanë targa të kohës së Millosheviqit, që t’i konvertojnë në targa legale me akronimin e vendit tonë, RKS”, ka deklaruar Kurti