Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot Drejtoria Kundër Terrorizmit, pas hetimeve disa mujore, ka kryer kontrolle në disa lokacione të ndryshme, ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armatimit, përfshirë armë automatike të llojeve të ndryshme, municion, granata dore dhe pajisje tjera të ndryshme.

Ky aksion është në vazhdën e veprimeve të ndërmarra dje në rajonin e Pejës dhe Prizrenit, i cili kishte rezultuar me arrestimin e 5 personave të dyshuar si dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, eksplozivit dhe parave të gatshme.

Prokuroria Speciale njofton se arrestimi i personave të dyshuar është kryer mbi dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Kosovës ku dyshohen për veprat penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Po ashtu, të njëjtit dyshohen edhe për veprat penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.