Pep Guardiola thotë se “të gjithë e dinë situatën” në lidhje me Erling Haaland. Flitet se për kushtet personale, norvegjezi ka rënë dakord, ndërsa Manchester City tani duhet vetëm të aktivizojë klauzolën e lirimit të 21-vjeçarit prej 75 milionë eurosh, me konfirmimin e transferimit që do të arrijë më vonë këtë javë.

Guardiola tha se nuk i lejohet ta diskutojë më tej marrëveshjen, por premtoi se do t’i zbulonte të gjitha kur gjithçka të përfundojë. Tema e Haaland ishte e parashikueshme, pika kryesore e bisedës në konferencën për shtyp të Guardiolës të martën, e cila ishte planifikuar në prag të ndeshjes kundër Wolves.

I pyetur për transferimin e afërt, Guardiola tha: “Të gjithë e dinë situatën, por unë nuk duhet të flas, sepse nuk më pëlqen të flas për të ardhmen, sezonin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë dua të them diçka, por Borussia Dortmund dhe Manchester City më thanë se nuk më lejohet të them asgjë derisa marrëveshja të përfundojë plotësisht. Pra, nuk mund të flas, më vjen keq. Do të kemi kohë të flasim”.

I shtyrë se sa shumë kontribute kishte për të bindur Haaland që të kalonte te Manchester City, ai shtoi: “Do të doja të flisja, sinqerisht, por nuk mundem! Ata më thonë mos thuaj asgjë për veprimet ligjore, situata është shumë larg këndvështrimit tim. Ne do të kemi kohë të flasim për këtë. Jo sepse nuk dua, por sepse nuk mundem”.

Marrëveshja për Haaland më në fund i jep fund kërkimit të zgjatur të City për një sulmues, i cili filloi me ndjekjen e dështuar gjatë verës së kaluar të Harry Kane. Guardiola, ndonjëherë ka rreshtuar në fushë formacione pa një qendërsulmues të jashtëzakonshëm, me emra të tillë si Raheem Sterling ose Phil Foden të detyruar të luajnë në qendër.

Megjithatë, trajneri i City e hodhi poshtë rëndësinë e një qendërsulmuesi natyral, duke theksuar se ata tashmë e kanë një të tillë, Gabriel Jesus, me 13 gola në të gjitha garat këtë sezon: “Ne e kemi një numër 9 tashmë. Kemi lojtarë të rinj në skuadër, disa të tjerë do të vijnë nga akademia në ekipin e parë sezonin e ardhshëm.

Lojtarët e rinj gjithmonë na ndihmojnë të jemi një skuadër më e fortë, por një mbrojtës i mirë nuk do të zgjidhë problemet tona në mbrojtje dhe një sulmues nuk do të zgjidhë problemet tona me shënimin, që ndoshta i kemi”.