Organeve kosovare të rendit u ra të merren me një rast që s’ndodhi hiç në territorin e republikës. Prokuroria po e heton rastin e përleshjes me armë të dy grupeve kosovare në oborrin e disa kazinove që gjenden në anën serbe, në Breznicë të Bujanocit.

Në ngjarjen që ndodhi në natën mes së hënës e të martës, përfunduan pesë të plagosur.

Por fillimisht vetëm një një 54 vjeçar nga Kamenica kërkoi ndihmë mjekësore në spitalin e Gjilanit. Drejtori Arsim Emini tregoi për Klan Kosova se pacienti ka pasur plagë në këmbën e djathtë, por që është jashtë rrezikut për jetë.

Megjithatë, numri i të plagosurve u rritë në pesë deri në mbrëmje. Sipas prokurorit Agron Uka, arsye janë vështirësitë në lokalizimin e të dyshuarve, pasi disa prej tyre dyshohet se ikën në territorin serb, pas përplasjes.

Kurse Ismet Hashani nga policia rajonale e Gjilanit konfirmoi se janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për pjesëmarrje në këtë rast, të cilët janë ndaluar për 48 orë.

Sipas burimeve të Klanit, gjashtë nga ta kanë të kaluar kriminale, ndërsa deri te gjuajtja me armë mes vete ndodhi për shkak të mospajtimeve të mëhershme për shuma parash të humbura pikërisht në këto kazino.

Ani pse e tërë ngjarja ka ndodhur në një zonë të pakontrolluar nga autoritetet kosovare, prokurori Uka tha se rasti hetohet sipas parimit të personalitetit aktiv, duke qenë se edhe të dyshuarit, edhe viktimat janë kosovarë.