Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në një lokal në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku një i ri papritur ka humbur jetën dhe është rrëzuar në tavolinën ku po qëndronte bashkë me miqtë e tij.

Ky rast ka tronditur shokët dhe dëshmitarët përreth të cilët njoftuan Emergjencën dhe Policinë.

Burimet nga Emergjenca bëjnë me dije se rasti ka ndodhur në lokalin M-Caffe në Prizren, pas orës 23:00 dhe menjëherë kanë internuar njësitë përkatëse, por fatkeqësisht i riu u dërgua pa shenja jete në spital, ndërkohë që hetimet për vdekjen e tij kanë nisur.

Sipas informacioneve të para, i ndjeri dyshohet të ketë pësuar atak kardiak, por akoma nuk dihet shkaktari i vdekjes së tij.

Siç mëson Sinjali, Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion dhe është iniciuar rasti “Hetim mbi vdekjen” për t’u zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.