Deklaratat e fundit të Cristiano Ronaldos padyshim që kanë bërë bujë, teksa u hap tërësisht me Piers Morgan, duke rrëfyer episodet më të rëndësishme të pjesës së fundit të karrierës së tij. Pas sulmeve ndaj Manchester United dhe Erik ten Hag, ishte radha e një referimi në të kaluarën. Në vitin 2021 portugezi u largua nga Juventusi dhe iu afrua nënshkrimit me Manchester City:

“Sinqerisht, isha afër, folën shumë për këtë. E tha edhe Guardiola dy javë më parë, u përpoqën shumë të më merrnin. U habita, por zemra ime foli me zë të lartë në atë moment”. E kaluara e tij te “Djajtë e Kuq” ishte vendimtare, siç thotë Ronaldo, të paktën po aq sa ndikimi i Sir Alex Ferguson:

“Historia që kisha te Manchester United dhe Sir Alex Ferguson bënë ndryshimin. Unë nuk e mohoj atë vendim, e mora me vetëdije. Fola me Ferguson dhe ai më tha: Është e pamundur që ti të shkosh te Manchester City. Dhe unë iu përgjigja: Dakord, shef”.

Gjatë intervistës, portugezi shigjetoi Ralf Rangnick, të cilin e përcakton si “drejtor sportiv dhe jo trajner” në disa raste: “Unë e respektoj punën, e kam quajtur “bos” si të gjithë trajnerët që kam pasur në karrierën time. Thellë brenda vetes nuk e kam parë kurrë si trajner”.

Një këndvështrim edhe për qëndrimin e futbollistëve të rinj, të cilët e përjetojnë futbollin ndryshe në krahasim me brezin e Cristiano Ronaldos: “Nuk po them që të rinjtë nuk i respektojnë lojtarët më të vjetër, por jetojnë në një epokë tjetër. Mentaliteti nuk është i njëjtë. Dallimi? Nuk zemërohen kur humbasin, nuk vuajnë, i jetojnë gjërat më thjesht se brezi im”.