“Babi, ku është fëmija tjetër?” Cristiano Ronaldo qan para kamerave, teksa kujton pyetjen e fëmijëve të tij, kur nëna e tyre do të kthehej nga spitali vetëm me njërin nga binjakët. Ishte data 18 prill dhe partnerja e tij, Georgina, kishte sjellë në jetë vogëlushen Bella, ndërsa vëllai i saj i vogël Angel, fatkeqësisht kishte lindur tashmë pa jetë.

Historia e CR7 për Piers Morgan, një yll kontrovers televiziv anglez, nuk mund të lërë askënd indiferent. Dhimbja e humbjes së një fëmije nuk largohet kurrë, e lëre më pas vetëm 6 muajsh. Ish-lojtari i Real Madridit dhe Juventusit ka rrëfyer sesi e mori mënjanë djalin e tij të madh, Cristiano Junior për t’i dhënë lajmin tragjik.

Tre të tjerët; Eva dhe Mateo 5-vjeçar, Alana Martina 4-vjeçare, do ta zbulonin më vonë. “Një ditë ishim në tavolinë, kishte kaluar një javë dhe vendosëm se ishte koha të ishim të sinqertë edhe me ta. ‘Ai është në parajsë’, – i thamë, – por është ende pjesë e jetës sonë’. Më thonë të vegjlit herë pas here: ‘Babi, e bëjmë për engjëllin, duke drejtuar duart nga qielli. Vdekja e tij më ka bërë të jem edhe më pranë fëmijëve të mi, të jem më baba, më i butë”.

Më pas, Piers e pyet për marrëdhënien e tij me Georgina, “sepse tragjedi si këto mund të krijojnë ose prishin një marrëdhënie”. “Në rastin tonë e përmirësoi, – ishte përgjigjja e portugezit, – u afrova edhe më shumë me Gio. Tani e shoh jetën nga një këndvështrim tjetër. Ata ishin gjashtë muajt më të vështirë të jetës sime, që nga ato pas vdekjes së babait tim”.

Ronaldo ka treguar se e ruan hirin e djalit të tij në një kishëz që ndërtoi në bodrumin e shtëpisë, ku prehen edhe eshtrat e babait të tij, Jose Dinis Aveiro, i cili vdiq në vitin 2005: “Do t’i mbaj pranë meje gjithë jetën. Nëse flas me ta? Sigurisht, gjithmonë, ata janë gjithmonë pranë meje. Më ndihmojnë të jem një person më i mirë, një baba më i mirë. Dhe është diçka për të cilën jam krenar.

Humbja e një fëmije është e vështirë të pranohet, Georgina dhe unë shpesh e kam pyetur veten: Pse na ndodhi neve? Por duhej të ishim të fortë për Bella. Është e çmendur se si një person mund të jetë kaq i lumtur dhe kaq i trishtuar në të njëjtën kohë. Nuk dini të qani apo të buzëqeshni. Nuk e dini si të veproni. Nuk gjej fjalë për të shpjeguar se si jam ndjerë në ato momente”.