Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Fushë Kosovë ku janë përfshirë mbi gjashtë persona, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se në këtë përleshje ka mbetur i therur me thikë një person i mitur, i cili ka kërkuar ndihmë në spital.

Sinjali mëson nga burimet brenda Emergjencës se i mituri është dërguar atje me plagë në gjoks, të cilat dyshohet se i janë shkaktuar si pasojë e goditjes me mjet të mprehtë. Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e tij është stabilizuar.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë arrestuar personat e përfshirë në rast, teksa nuk kanë arritur që ta gjejnë mjetin e mprehtë që dyshohet se u përdor për ta therur 16-vjeçarin.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti verbal, që më pas ka shpërthyer në sulm fizik ndaj njëri-tjetrit.

Me urdhër të prokurorit, janë iniciuar dy raste të ndara për veprat ‘Pjesëmarrje në rrahje’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.