Një dukuri mjaft shqetësuese për shoqërinë janë bërë përleshjet mes të rinjve që jo rrallëherë kanë përfunduar tragjikisht. Vetëm sot, Sinjalit raportoi për disa raste të tilla, ku të dyshuarit janë edhe persona të mitur. Por këto siç duket nuk janë rastet e vetme, që ndodhën në 24 orët e fundit.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se përveç rrahjes në një lokal në Podujevë, atje ka pasur përleshje edhe te lojërat e qytetit, ku janë përfshirë katër persona.

Motivi i ngjarjes ende nuk dihet, por që Policia ka arritur të intervenojë duke i arrestuar të dyshuarit, para se situata të përshkallëzohej, raporton Gazeta Sinjali.

Të dyshuarit që u prangosën janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku pasi kanë dhënë deklaratat, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tyre.

Sinjali mëson se tre të dyshuarit të moshës madhore janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri për 24 orë. Ata ngarkohen për veprat penale “sulm dhe kanosje”.