Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar lidhur me pushimet zyrtare.

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka kërkuar që Ligji për Festat Zyrtare duhet të ndryshoj sa më shpejt që është i mundur, përcjell Telegrafi.

“Uroj që ‘vikendi’ i porsapërfunduar të jetë alarmi i fundit per çoroditjen që e kemi në kalendarin e festave zyrtare. Ligji për Festat zyrtare duhet të ndryshoj sa më shpejt që është i mundur. Nuk ka kuptim që brenda vitit të humben mbi 10 ditë pune, vetëm pse një festë zyrtare, qëllon të jetë në fundjavë”, ka reaguar Rukiqi.

Sipas këtij Ligji, në Kosovë janë 11 festa zyrtare.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me Ligj janë Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.

Madje, Kosova feston edhe 9 Majin – Ditën e Evropës që është ditë pune për qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Përveç këtyre festave, në Kosovë sipas Ligjit janë të përcaktuara edhe tetë ditë tjera memoriale.

Data 28 Nëntor shënohet si Dita e Flamurit të shqiptarëve dhe 12 Qershori – Dita e Paqes, e që për të dy ditët pushohet. Kurse gjashtë festat tjera memoriale i përkasin ditës së komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë.