Plot 3149 bujqë kanë aplikuar më shumë se sa vitin e kaluar për subvencionet në Bujqësi. Ministria e Bujqësisë ka dhënë shifrat për Indeksonline lidhur me numrin e aplikuesve dhe procesin e subvencioneve në Bujqësi.

“Në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 numri i aplikimeve në të gjitha kulturat dhe aktivitetet bujqësore e blegtorale që mbështeten përmes këtij programi arrin në 50836 aplikime, me gjithsejtë 28,834 aplikues dhe nëse e krahasojmë me vitin e kaluar janë 3149 aplikues më shumë” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë dhënë për Indeksonline.

Por, pyetja më e shpesht e fermerëve dhe bujqve është se kur do të iu dalin mjetet në llogari.

Indeksonline ka pyetur ministrinë e Faton Pecit lidhur me këtë çështje.

“Fermerët aplikimin e realizojnë në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat ku ata jetojnë dhe sipas procedurave të parapara me udhëzimet administrative në fuqi, këto lëndë nga këto Drejtori dorëzohen në Drejtorinë e Pagesave Direkte në Agjencinë për Zhvillmin e Bujqësisë (AZhB). Pas pranimit të këtyre lëndëve vazhdojnë procedurat e brendshme administrative, të cilat janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte, duke filluar nga kontrolla/vlerësimi administrativ i aplikacioneve e më pastaj edhe kontrollat në terren. Pas përfundimit të këtyre hapave, bëhet procedimi për ekzekutimin e pagesave për të gjithë aplikuesit, që i plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar konform Programit dhe Udhëzimit Administrativ” thuhet në përgjigjen e MB-së për Indeksonline.

Ministria e Pecit kishte paralajmëruar rritje të inspektimeve në terren.

“Sa i përket inspektimeve në terren, e theksuam edhe më lartë se inspektimet realizohen bazuar edhe në Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte. Dhe në këtë drejtim, MBPZhR-ja, gjegjësisht AZhB-ja ka zhvilluar procedurat e brendshme për lëvizje paralele brenda shërbyesve civil sipas ligjeve në fuqi për një numër të inspektorëve. Ditëve në vijim, do të ndjekim edhe procedura të tjera ligjore deri në arritjen e një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve që do të inspektojnë të mbjellurat në teren” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.