Për Allan Saint-Maximin, futbollist i Newcastle, është folur shumë në sesionet e kaluara të merkatos sepse ka qenë objektiv i disa klubeve të mëdha.

Francezi po bind në Premier League, ku luan prej tre sezonesh tashmë. Pasi ka shkëlqyer te Nice, Saint-Maximin ka bërë hapin e madh duke shkuar në kampionatin anglez.

Bëhet fjal për një tip të veçantë, siç tregohet edhe nga situata e fundit në të cilën është përfshirë. Sipas Sportbible, futbollisti ka përfunduar nën akuzë nga ana e Football Association për shiritin që ka mbajtur në kokë në disa ndeshje.

SHIRITI – Problemi është marka. Në ndeshjet kundër Leicester dhe Wolves, Saint-Maximin ka mbajtur një shirit të markës Louis Vuitton, duke shkelur rregullin që ndalon shfaqjen e markave që nuk janë sponsorët zyrtarë të Premier League.

Nga ana tjetër, kjo është një situatë e ngjashme me atë që është verifikuar në kohën kur futbollisti luante në Ligue 1. Në atë kohë, shiriti i përzgjedhur ka qenë i markës Gucci dhe kushtonte rreth 200 euro.

Por, duke parë se rregullorja nuk e lejon këtë as në Francë, Saint-Maximin e ka mbuluar logon për të shmangur sanksione të mundshme. Një eksperiment që ka shumë mundësi të përsëritet edhe në Premier.

Megjithatë, sulmuesi i krahut i Newcastle ka kohë deri më 19 maj për t’u mbrojtur nga akuzat, por ka shumë mundësi që të mjaftohet duke paguar një gjobë.

GJOBA – Kjo konfirmohet nga disa deklarata të bëra pak kohë më parë nga shoku i tij i skuadrës Jonjo Shelvey. I intervistuar në podcast-in The Beautiful Game, mesfushori ka folur për francezin dhe ka zbuluar se stili i tij i jetës i kushton shumë.

“Është një talent, një futbollist i pabesueshëm. Është edhe një tip i veçantë. Është shumë i qetë, që pëlqen të vishet me rroba firmato nga koka te këmbët. E gjobisin çdo ditë sepse vjen në stërvitje me vathë dhe gjëra të tjera të tilla”, ka thënë Jonjo Shelvey.

“Po të mos ishte kaq i fortë ka shumë mundësi që të gjithë të ishin kundër tij, por shpëton nga kjo se është shumë i mirë si lojtar”.