Gjashtë punëtorë, mesditën e së hënës, po punonin në vendosjen e pllakës së katit përdhese të një objekti në Kaçanik.

Mirëpo, derisa po shpërndahej betoni, pllaka u shemb dhe dy nga ta u lënduan.

Punëtorët e lënduar morën trajtim në spitalin e Ferizajt, derisa punëtori kishte marrë lëndime në gju dhe pas ekzaminimeve të nevojshme ishte lëshuar në shtëpi.

Shefi i Shërbimit Emergjent të Spitalit të Ferizajt, Sefedin Fazliu, bëri të ditur përmes telefonit se personi tjetër megjithëse i ka pasur të gjitha parametrat vitalë, është dërguar për disa incizime shtesë në QKUK.

Klani ka kontaktuar me pronarin e kompanisë, i cili e ka konfirmuar rastin, mirëpo nuk ka treguar më shumë detaje.

Ndërkohë, as punëtori nuk ka pranuar të flasë, me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Për ngjarjen është hapur rast në polici.

“Rasti është cilësuar “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës. Ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë inspektorët e punës” deklaroi, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Në vendngjarje, ishin edhe kryetari i Komunës, Besim Ilazi, dhe kryeinspektori Menduh Krasniqi.

“Sa i përket objektit, është i pajisur me leje ndërtimi, kurse pjesa teknike është objekt privat dhe nuk mund të them më tepër për momentin,” tha Besim Ilazi, kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Sipas Ilazit, inspektorët do të vazhdojnë analizat në vendin e ngjarjes për të kuptuar më detajisht rrethanat.